ACTIVITIES
Bisedë: Poezia, si “Fijeshprese”- Alban Tartari - 5.11.2013
Alban Tartari, kësaj radhe në rolin e poetit dhe një miku të librave, ishte i ftuari i ditës së enjte në vijim të aktiviteteve të javës së librit në Universitetin Bedër.
Bashkëbisedimi i studentëve me autorin e librit me poezi, “Fijeshprese”, ishte i afërt dhe miqësor. Biseda preku letërsinë dhe veçanërisht poezinë, në dimensionet shpirtërore dhe artistike të tyre. Duke iu referuar interpretimit kuptimor të poezisë, Tartari tha se gjithçka është personale dhe merr kuptim në varësi të lexuesit. Gjithsekush, sipas tij, është i lirë ta kuptojë një poezi sipas ndjesive dhe përvojave vetjake.
Ai ndau me studentët përvojën e përkthimit të disa poezive nga turqishtja në shqip. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, Tartari lexoi dhe shpjegoi historinë e krijimit të disa poezive. “Gjithçka e kam bërë për kënaqësi vetjake. Më kanë pëlqyer këo poezi të këtyre poetëve të mëdhenj dhe kam dashur t’i përkthej edhe në shqip”,- u shpreh Alban Tartari.
Më tej ai tha se poezia vjen nga shpirti dhe ka momentin e saj të të shkruarit. Mund të ekzistojnë peridha të frytshme në këtë drejtim, por edhe momente të zbrazëta e pa poezi. “Çdokush mund të shkruajë,- tha Tartari,- por poet bëhet vetëm ai që edhe ka lexuar shumë”.
Vetë natyra e poezisë si gjini letrare dhe ajo e nivelit të ligjërimit, krijoi një atmosferë të lartë shpirtërore mes të pranishmëve dhe të gjithë u ndanë me kënaqësinë e veçantë që pason një bisedë artistiko-letrare.