ACTIVITIES
Profeti Muhammed Mëshirë për Botët - 19.1.2015
“Profeti Muhamed a.s mëshirë për botët”, ishte ky programi i organizuar pasditen e djeshme nga studentët e Departamentit të Shkencave Islame pranë Shkollës së Lartë “Hëna e Plotë” Bedër.
Në programin përkujtimor ishin të pranishëm kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, Rektori i Shkollës së Lartë “Hëna e Plotë, Bedër, z. Ferdinand Gjana, përfaqësues nga KMSH, dekanë, pedagogë, student dhe familjarë.
Programi u çel me fjalët më të bukura, me ajete nga Kur’ani Famëlartë të kënduara nga studenti i Departamentit të Shkencave Islame, Hysni Merja.
Një këndvështrim mbi jetën e Profetit a.s, moralin dhe shembullin e tij të përkryer u trajtua nga pedagogu i Shkencave Islame, Veton Tulla. “Dashurinë ndaj Profetit a.s mund ta arrijmë duke ndjekur dhe zbatuar këshillat e tij. Gjithashtu për të qenë sa më afër me Të, dërgojini atij salavate”, tha z. Tulla.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi studentët për programin dhe atmosferën që ata përcollën. “Ju jam shumë mirënjohës që me programe të tilla përcillni mesazhe të Profetit a.s, të njeriut që erdhi mëshirë për njerëzimin. Bota sot ka nevojë më shumë se kurrë ta njohë Profetin e mëshirës, dashurisë dhe paqes”, tha ndër të tjera kryetari.
Kur’ani, ilahitë, dhe pjesët e zgjedhura poetike e teatrale të përcjella nga studentët për të pranishmit, ngritën peshë zemrat e tyre. Në përkujtim të Diellit të Mëshirës u përcollën mesazhe dashurie dhe paqeje, duke dëshmuar edhe njëherë se Profeti a.s është simboli i dashurisë.
Ne u dashuruam me Të, pa e parë…