ACTIVITIES
Organizuar natë lutjesh e duàsh - 17.5.2013
Kur’an, duà, lutje e ilahi, kanë qenë këto të cilat kanë gjallëruar natën e shënuar të Regaibit në kryeqytet, duke bërë që ajo të përjetohet ndryshe nga besimtarët myslimanë.
Në kuadër të Netëve të Mëdha, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, organizoi të enjten në mbrëmje një program fetar me rastin e natës së shënuar të Regaibit në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, pasi përshëndeti besimtarët e pranishëm foli rreth mirësisë dhe begatisë së kësaj nate. “Kjo është nata e parë e tre netëve të mira që janë përkatësisht në tre muajt e mëdhenj, Rexhep, Shaban, Ramazan. Kjo natë në kuptimin simbolik e parapërgatit besimtarin shpirtërisht për muajin e madhërueshëm të Ramazanit”, u shpreh ai.
Më tej kreu i myslimanëve shqiptarë nënvizoi se në këto kohë të vështira në të cilat po jetojmë duhet t’i përkushtohemi më shumë besimit, pasi besimi siç tha ai është piedestali që e mban njeriun lart dhe këtë botë dhe në tjetrën. “Sot në këto kohë ‘të rrëmujshme’ në të cilat po jetojmë, kemi nevojë më shumë se kurrë për t’iu përulur Krijuesit të Gjithësisë. Sot dhe në çdo kohë kemi nevojë për t’i dërguar salavate Profetit tonë të dashur Muhamedit a.s.”, u shpreh Kryetari Muça.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe myftinjtë e vendeve të ndryshme të Ballkanit si dhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë (DIJANET) Prof. Dr. Mehmet Gormez, i cili shprehu nderimet e veçanta për këtë natë të madhe siç e quajti ai natën e mëshirës dhe dashurisë.
Më pas programi vazhdoi me këndim Kur’ani nga hafizë shqiptarë e turq. Gjithashtu u kënduan salavate e ilahi.
Mbrëmjen e 16 prillit dhjetëra besimtarë u mblodhën pranë xhamisë së Ethem Beut në Tiranë për të adhuruar Zotin, për t’u lutur, e kënduar Kur’an në këtë natë të veçantë.
Aktiviteti u përcoll drejtpërsëdrejti nga kanali televiz shtetëror turk TRT.
17 Maj 2013