ACTIVITIES
Brown Bag Seminars in Law (Ettore Sequi) - 17.12.2013
Ettore Sequi, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, “Sistemi ligjor i Bashkimit Europian dhe mënyra e funksionimit të institucioneve që përbëjnë këtë bashkim”.
I ftuar në kuadër të ciklit të leksioneve “sistemet ligjore të krahasuara”, të organizuara nga Departamenti i Drejtësisë, Ambasadori Sequi u shpreh i kënaqur që i jepet mundësia të komunikojë me studentët pasi ata janë e ardhmja që do të vendosë për sfidat e vendit.
Z. Sequi u ndal në rëndësinë që i gjithë sistemi mbi të cilin është ngritur Bashkimi Europian, i jep zbatimit të ligjit dhe transparencës si një faktor kyç për demokracinë. Në leksionin e tij, z. Sequi prezantoi para studentëve, organet kryesore të bashkimit, që nga Këshilli i Bashkimit Europian, Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe deri te Gjykata Europiane e Drejtësisë që ndodhet në Luksemburg.
Ai u ndal gjithashtu edhe në rëndësisnë e Traktatit të Lisbonës si një kuadër kushtetues që i dha zgjidhje mjaft çështjeve të diskutuara mbi politikën e jashtme dhe sigurisë së BE-së. Z. Sequi u shpreh optimist sa i përket tejkalimit të krizës që ka përfshirë disa vende të BE-së. Sipas tij, historia e Bashkimit Europian ka kaluar shpesh momente krizash, ku euro-skeptikët kanë vënë në dyshim eksitencën e unionit. Ai theksoi faktin se mbështetja që BE i ka dhënë vendeve në vështirësi ekonomike, përveç ndihmës në kapërcimin e krizës nga këto vende, ka bërë që efektet e saj të ndjehen më pak edhe në vende si Shqipëria, ekonomia e të cilave është mjaft e lidhur me vendet e unionit.
Ndërkohë ambasadori Sequi iu përgjigj interesit të studentëve në lidhje me porcesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duke theksuar se tashmë nuk është koha për të kërkuar fajtorin por për tu fokusuar në reformat e nevojshme për këtë proces. “Unë jam i mendimit se duhet të mësohemi që gjërat të mos i shohim bardhë e zi. Problemi qëndron në faktin e mos ndërgjegjësimit për të mirat që sjell anëtarësimi. Reformat që bën Shqipëria duhet të shihen si një proces që pikë së pari i sjell prosperitet vetë popullit shqiptar. Këto reforma nuk bëhen për të kënaqur Bashkimin Europian”. Kreu i Delegacionit Europian në Tiranë nuk la pa përcjellë dhe disa mesazhe të rëndësishme për studentët duke i inkurajuar ata që si profesionistë të rinj, të jenë aktivë për të përgatitur shoqërinë përballë sfidave që do të sjellë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.