Member Counts : 106
Created on : 2012
Activity Counts : 14

Beder Law Academy Club

ACTIVITIES

Brown Bag Seminars (Mesila Doda) - 16.12.2014

Në kuadër të ciklit “Brownbag Seminars”, znj. Mesila Doda, deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetare e “Aleanca e Grave Deputete”, ishte e ftuar nga klubi studentor “Bedër Law Academy” në një leksion të hapur ku ndau me studentët dhe të pranishmit pikëpamjet rreth temës “Iniciativa e përbashkët gjinore dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave të grave.” 

Znj. Mesila Doda bëri një prezantim të veprimtarisë së Aleancës duke theksuar se kjo aleancë ka arritur një bashkëpunim të gjerë mes të gjitha grave deputete përtej dallimeve partiake. Këto bashkëpunime konsistojnë në çështje që kanë të bëjnë më mbrojtjen e të drejtave të grave, rritjen e rolit të gruas në politikë dhe respektimin e kuotës gjinore në listat e kandidatëve. “Gratë duhet të bashkohen me njëra-tjetrën. Vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet fuqizimi i tyre”- tha Znj. Doda duke përmendur në këtë mënyrë arritjet që ka patur ky organizim në Kuvendin e Shqipërisë por edhe në vende të tjera shqipfolëse si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.


Ndër të tjera, Znj. Doda u shpreh për ligjin për lustracionin si dhe për hapjen e dosjeve. Në lidhje me këtë të fundit, ajo  theksoi se jemi shumë vonë në hapjen e dosjeve por gjithsesi ky është një hap i domosdoshëm që duhet ndërmarrë sa më shpejt nga politika shqiptare. Gjatë bashkëbisedimit, Znj. Doda vlerësoi disa propozime të studentëve në lidhje me analizimin e fuqisë ekonomike të gruas duke trajtuar mënyrën sesi gjykatat kanë bërë ndarjen e pasurisë në familje. Përveç kësaj, ajo u kërkoi studentëve të hartojnë një projekt në lidhje me këtë në mënyrë që ajo ta propozojë në parlament.

 
Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga të pranishmit në lidhje me aspekte të ndryshme të rolit të gruas në politikë dhe në fusha të tjera.